Rroftë 9 Maji!

Dy vite pas 9 majit të përgjakshëm në Lagjen e Trimave – Kumanovë, CIVIL – Qendra për Liri përkujton dhe bën thirrje për përgjegjësi nga institucionet dhe të gjitha subjektet politike në vend. I përkujtojmë institucionet se kanë përgjegjësi para qytetareve dhe qytetarëve të Maqedonisë, për zbardhjen e këtij rasti, në mënyrë transparente dhe objektive.

Njëherit, Civili edhe një herë shpreh ngushëllime dhe mbështetje për familjet e policëve të vrarë dhe të gjithëve që u goditën nga kjo tragjedi.

Me rastin e kësaj ngjarjeje tragjike, Civili thekson se jetojmë në një situatë të madhe ironike. Një nga përfitimet nga sundimi autoritar i Gruevskit është që i mbajti qytetaret dhe qytetarët nga të gjitha komunitetet në Republikën e Maqedonisë të bashkuar në përpjekjet për liri, drejtësi dhe demokraci. Mllefi dhe përpjekja për demokraci është ajo që i bashkoi të gjitha komunitetet.

Uniteti i këtillë u manifestua në çastet dramatike të luftës së “vogël” të përgjakshme në Kumanovë, më 9 maj të vitit 2015. Opinioni i vendit dhe botëror dëshmoi për tejkalimin e dallimeve etnike dhe për protestën e madhe të 17 majit të vitit 2015 dhe për protestat e shumta të cilat pasuan, duke e përfshirë edhe Revolucionin e Larmë në vitin 2016. Edhe në këto muaj, pas zgjedhjeve në dhjetor të vitit 2016, qytetaret dhe qytetarët e Republikës së Maqedonisë, pavarësisht përkatësisë etnike, nuk ranë pre e provokimeve nga protestat e iniciativës “Për Maqedoni të Përbashkët” dhe dhunës në Kuvend.

Përkundër operacionit të vazhdueshëm sistemor për ndarje dhe tensione etnike dhe në atë mënyrë të sundohet me anë të frikës, kërcënimeve dhe dhunës, shohim një pjekuri të qytetërimit në Republikën e Maqedonisë. Shoqëria e Maqedonisë është pjekur, si në planin politik, ashtu edhe në planin shoqëror, zhvilloi kulturë politike e cila i dha cilësi të re jetesës në vend.

As partitë politike, as institucionet të cilat për kohë të gjatë janë të robëruara nga deri vonë partitë qeverisëse, nuk kontribuan për pjekurinë politike të qytetareve dhe qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Pikërisht qytetaret dhe qytetarët janë bartësit e stabilizimit të marrëdhënieve ndëretnike. Ato janë heroinat dhe heronjtë e kthimit të lirisë dhe demokracisë në vend.

Rruga drejt Maqedonisë së lirë dhe demokratike është e gjatë dhe me gjemba, dhe kërkon shumë orvatje dhe sakrifica, por kjo do të ndodh patjetër. Forcat mendjelira dhe pro-demokratike, qytetaret dhe qytetarët e vetëdijësuar politikisht të Maqedonisë e gjetën rrugën e tyre nga e cila nuk heqin dorë.

Kjo është dita e fitores tonë mbi fashizmin në vitin 1945. Do të korrim fitore edhe mbi të sotmin! Gëzuar 9 maji!

Print Friendly, PDF & Email

This post is also available in: MacedonianEnglish