Drejtoria për të Ardhura Publike nëpër OJQ: “Desorosoizim” ose kontrollim i rregullt?

Për tre ditë me radhë, vazhdon inspektimi i Drejtorisë për të Ardhura Publike në më tepër organizata qytetare, të cilat ishin pjesë e iniciativës “Ne vendosim”. Inspektimi vjen pas fjalimit të kryeministrit të mëparshëm Nikolla Gruevski, para Komisionit Shtetëror Zgjedhor, kur lideri i VMRO-DPMNE paralajmëroi “desorosoizimin e Maqedonisë”. Organizatat qytetare akuzojnë për presion politik për shkak të kritikës së tyre ndaj pushtetit, derisa nga DAP thonë se zbatojnë kontrollin e rregullt të të gjithë tatimpaguesve, pavarësisht nga ngjarjet politike në vend.

Një pjese të organizatave qytetare, siç thonë ata, DAP-i u ka paralajmëruar kontrolle të rregullta financiare para mbajtjes së zgjedhjeve, edhe pse, para dy ditëve, Drejtoria u paraqit në opinion me qëndrim se bëhet fjalë për inspektim, i cili zbatohet me kërkesë të një organi tjetër shtetëror.

Uranija Pirovska, drejtoreshë ekzekutive e Komitetit të Helsinkit në Republikën e Maqedonisë, vlerëson se bëhet fjalë për presion politik mbi organizatat për shkak të qëndrimit të  tyre kritik ndaj pushtetit. “Komiteti i Helsinkit është organizata e parë së cilës i ishte paralajmëruar inspektimi financiar nga Drejtoria për të Ardhura Publike, më 6 dhjetor, para zgjedhjeve parlamentare. Na informuan se jemi të zgjedhur sipas zgjedhjes së rastësishme për kontrollin e rregullt financiar, që është në kundërshtim me deklaratën e pardjeshme të DAP në lajmet e TV 24 Vesti, në të cilën thuhet se veprohet sipas paraqitjes së një organi tjetër shtetëror, ndërkohë që nuk zbulohet se cili është ai. Mendoj se është  tendencioze dhe se është me qëllim që të bëhet presion ndaj të gjitha organizatave, të cilat gjatë sundimit të VMRO-DPMNE kishin qëndrim kritik ndaj politikave të partisë në pushtet”, thekson Pirovska për CIVIL Media.

Uranija Pirovska

Uranija Pirovska

Për të nuk ka aspak dyshim se ekziston lidhje mes fjalimit të ish-kryeministrit para KSHZ dhe këtij inspektimi të DAP. “Absolutisht po. Dhe, të mos harrohet se para zgjedhjeve rrotullohej pamfleti i GDOM, në të cilin ishim të shënuar të gjithë, me emra dhe mbiemra, si njerëz të cilët kinse kanë pranuar para nga Soros-i për shkatërrimin e RM”, thotë Pirovska.

Inspektim nga DAP ka edhe në Qendrën e Maqedonisë për Arsimim Evropian. Bojan Mariçiq nga QMAE shpjegon se inspektimi i DAP është i paralajmëruar si i zakonshëm dhe i rregullt. “Inspektorët, në bazë të urdhrit, kërkuan inspektim në të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet nga 1 janari  të vitit 2016 deri më 5 dhjetor të vitit 2016. I tërë dokumentacioni është i dhënë në inspektim, kontrollimi i dokumentacionit fillon kësaj jave. Deri tani, çdo gjë zhvillohet në kornizat e ligjit dhe me ton të mirë”, thotë Mariçiq për CIVIL Media.

bojan-maricic

Bojan Mariçiq

Por, ajo që është simptomatike edhe sipas tij, është se inspektimi po ndodh pas zgjedhjeve dhe pas paralajmërimit të ish-kryeministrit  Gruevski për “desorosoizim të Maqedonisë”. Sipas Mariçiq, inspektimi është dërguar në mënyrë selektive pikërisht nëpër organizatat, të cilat në disa vitet e fundit ishin bartëse të iniciativave dhe fushatave qytetare që ishin kritike ndaj pushtetit të Nikolla Gruevskit. “Pothuajse të gjitha organizatat ishin pjesë e fushatës “Meritojmë më mirë” dhe “Ne vendosim” dhe kishin aktivitete për informimin e qytetarëve për të drejtat e tyre votuese. Nën mbikëqyrje janë organizata, të cilat punojnë shumë vite me donatorë rigorozë, dhe të cilat deri tani nuk kanë pasur asnjë njollë financiare”, thotë drejtori ekzekutiv i QMAE.

“Konteksti në të cilin po ndodh kjo ngjarje dhe atmosfera e linçimit ndaj sektorit qytetar që është e imponuar nga pushteti, na jep për të drejtë që këtë ta kuptojmë si presion të orkestruar politik ndaj iniciativave qytetare. Sidoqoftë, ne nuk kemi çfarë të fshehim dhe presim që institucionet të veprojnë sipas ligjit”, konkludon Mariçiq.

CIVIL Media ka kontaktuar edhe me Drejtorinë për të Ardhura Publike. Pasi u dëgjuam përmes telefonit me zëdhënësen Vesna Novakoviq, nëpërmjet postës elektronike i dërguam pyetje në lidhje me kontrollin financiar i cili po zhvillohet në më tepër organizata qytetare, duke pyetur për llojin e kontrollit, me urdhrin e kujt po zbatohet dhe nëse janë gjetur parregullsi në punën e organizatave. Gjithashtu, kërkuam koment për qëndrimet e paraqitura në opinion se bëhet fjalë për presion, i cili vjen pas fjalimit të liderit të partisë qeverisëse.

ujp-novakovic

Vesna Novakoviq

Në përgjigjen e dërguar deri te redaksia e CIVIL Media, thuhet se Drejtoria për të Ardhura Publike, në përputhje me kompetencat ligjore dhe pa dallim nga rrjedhat politike në shtet, rregullisht zbaton kontroll te të gjithë tatimpaguesit. “Në rastin konkret është vepruar sipas kërkesës nga muaji nëntor i vitit 2016, nga një organ tjetër shtetëror, i cili ka kompetencë të nisë iniciativë për kontrollin e punës financiare-materiale. Në pajtim me nenin 9 nga Ligji për Procedurën e Taksave, të dhënat tjera nuk mund të jenë objekt i komunikimit me publikun, sepse kanë trajtimin e sekretit tatimor”, thuhet në përgjigjen e dërguar nga zëdhënësja e DAP, Vesna Novakoviq.

Përndryshe, siç na tregojnë bashkëbiseduesit tanë nga organizatat qytetare ku për momentin vazhdon kontrollimi financiar, ai akoma nuk ka mbaruar dhe se u kanë paralajmëruar se inspektorët e DAP-it do t’i vizitojnë edhe në ditët e ardhshme.

Petrit Saraçini

Print Friendly, PDF & Email

This post is also available in: MacedonianEnglish