Ahmeti në TV21 pa përgjigje konkrete për qeverinë e re, të gjitha opsionet e hapura

Intervista e mbrëmshme për TV 21 e kryetarit të BDI, Ali Ahmeti, e intensifikoi edhe më tepër debatin në publik, i cili gufoi pas shpalljes së Platformës së tre partive shqiptare, në të cilën jepen kushtet që duhet t’i realizojë pushteti i ardhshëm në vend, nëse do të ketë përkrahjen e tyre.  Intervista e liderit të BDI vjen dy ditë pasi që lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, si lider i partisë që fitoi numrin më të madh të deputetëve në zgjedhjet e 11 dhjetorit, e mori mandatin nga kryetari i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, për të formuar qeverinë e re.

gruevski-dnevnik-1

Disa ditë më parë, Gruevski dha intervistë për të përditshmen “Dnevnik”, me të cilën i dërgoi disa porosi Ahmetit dhe BDI-së. Mes tjerash, Gruevski u kanos se “BDI e di se si” ai do të pengojë që kjo parti të bëjë qeveri me LSDM-në opozitare. Në këtë intervistë, Gruevski po ashtu theksoi se për të kushtet e platformës të 3 partive shqiptare janë të papranueshme, si dhe po që se VMRO DPMNE-së, si parti fituese, i luhet loja prej BDI-së, “VMRO DPMNE së shpejti do të kthehet në derë të madhe, edhe atë së paku dy mandate me rend, dhe do të jetë pa asnjëfarë obligimi gjatë formimit të Qeverisë”.

bdxd

Në intervistën për TV 21, Ahmeti nuk ishte shumë i qartë as në përgjigjet ndaj porosive të partnerit të tij shumëvjeçar qeveritar, e as për veprimet e ardhshme të BDI-së lidhur me formimin e qeverisë së re në Maqedoni. Ai shpalosi pesë skenarë të mundshme: BDI të bëjë qeveri me VMRO DPMNE, të bëjë qeveri me LSDM-në, të bëhet pjesë e qeverisë të gjerë, të mbetet në opozitë apo të shkohet në zgjedhje të reja parlamentare. Se cili opsion do të zgjidhet, Ahmeti përgjigjen e pret prej analizave që bëhen në parti, por edhe prej votuesve të BDI-së, prej të cilëve Ahmeti, i cili, siç tha, “është në hall” për të bërë zgjidhjen, do të kërkojë këshillë në këtë drejtim në takime që do të vijojnë këtyre ditëve. Gjatë intervistës dominoi teza se VMRO-ja dhe BDI-ja janë fituese të zgjedhjeve dhe se BDI do të respektojë parimin që “fituesi të bëjë qeveri me fituesin”, në të cilin BDI ka insistuar gjithmonë, por që Gruevski nuk e respektoi pas zgjedhjeve të vitit 2006të, kur mori PDSH-në në qeveri. Mirëpo, qeveri pa pranimin e kërkesave të Platformës nuk do të ketë, theksoi Ahmeti.

24560_1399196267739_1635425_n

Analistët politikë shqiptarë nga Maqedonia vlerësojnë se Ahmeti nuk tha shumë dhe u iku përgjigjeve të drejtpërdrejta, duke lënë të gjitha opsionet e hapura. “Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti në intervistën e mbrëmshme nuk iu shmang stilit të tij të njohur të paraqitjeve të tij publike, duke iu shmangur përgjigjeve të drejtpërdrejta dhe duke iu shmangur po ashtu debatit me analistë politikë apo gazetarë të më shumë mediave, pasi preferon intervistat klasike, që për mendimin tim është hap i pamenduar mirë nga aspekti i PR-it të një partie politike”, vlerëson profesori universitar Sefer Tahiri.

Sipas tij, Ahmeti në intervistë shtroi vetëm hipotezat të cilat i di edhe publiku i gjerë, por la të nënkuptohet që edhe zgjedhjet e reja janë opsion, gjithsesi pasi partitë maqedonase do të refuzonin Platformën kombëtare shqiptare, situatë kjo e cila do t’i largonte qytetarët nga koncepti qytetar dhe do t’i rikthente në dimensionin etnik apo rikthimin e temave të mëdha etnike. “Mospërjashtimi i koalicionit me VMRO-DPMNE-në është një tendencë politike që të tregohet se nuk ka gatishmëri për koalicion as me LSDM-në dhe, së këndejmi, Maqedonia të futet në krizë të re politike që do të përfundonte me zgjedhje, në të cilat do të vinte në shprehje retorika etno - nacionaliste nga të dyja palët, e që më shumë u konvenon atyre që e përdorin këtë retorike”, thekson Tahiri.

15202765_10153839737061895_2867363996345168683_n

Gazetari hulumtues, Xhelal Neziri, nga ana tjetër, vlerëson se lideri i BDI-së Ali Ahmeti duket se dëshiron të bëjë një ripozicionim të palëve në procesin e tejkalimit të krizës,  kështu që problemin nga rrafshi politik dëshiron ta zhvendosë në atë ndëretnik. “Bashkimi i partive shqiptare rreth një platforme ishte hapi i parë drejt arritjes së këtij qëllimi. Një shtytje tjetër dha edhe presidenti Gjorgje Ivanov në fjalimin e tij vjetor, kur bëri thirrje për koordinim ndërmjet VMRO-së dhe LSDM-së. Duket kjo si një operacion që ka për qëllim të ndajë elektoratin në vija etnike, me ç’rast etnia do të jetë kriteri kryesor gjatë përcaktimit të votuesit të Maqedonisë. Kjo nga shkaku se BDI humbi afër 40 mijë votues, që vlerësohet të kenë shkuar te LSDM, kurse VMRO nuk arriti fitoren e projektuar shkaku se votat shqiptarëve etnikë ndikuan që të ketë gati një barazim të numrit të deputetëve”, shprehet ai.

Sipas Nezirit, nëse thellohet hendeku ndëretnik, atëherë nuk mund të pritet që shqiptarët të votojnë LSDM-në. “Ajo që ishte si porosi kryesore e Ahmetit ishte bashkimi i VMRO-së dhe LSDM-së, njëjtë si u bashkuan partitë shqiptare. Pra një thirrje për ridefinimin e tereneve politike të dy etnive, pa të drejtë përzierje në terenin e tjetrit”, shprehet Neziri për CIVIL Madia.

Lidhur me formimin e qeverisë së re, sipas Nezirit, duket se Ahmeti do të mbajë të hapura tre opsione kryesore: koalicionimi me VMRO-DPMNE-në, me LSDM-në ose të mos pranojë koalicionim me asnjërën, me qëllim që vendi të shkojë ne zgjedhje të reja parlamentare. “Opsioni i qeverisë së zgjeruar nuk varet nga Ahmeti, ndërkohë që opsioni i pestë - BDI të kalojë në opozitë - është pak i besueshëm shkaku i profilizimit të kësaj partie si parti qeveritare, e cila mund te funksionojë vetëm si pjesë e pushtetit. Si variant më i mundshëm mendoj se është opsioni i tretë, që BDI të refuzojë koalicionimet me VMRO-në dhe LSDM-ne dhe kështu vendi të shkojë në zgjedhje të reja. Deri në ato zgjedhje, prioritet duket se do të jetë tensionimi i marrëdhënieve ndëretnike dhe pamundësimi i votimit mbietnik apo qytetar, siç ndodhi në zgjedhjet e 11 dhjetorit”, thekson ai.

Profesori Tahiri po ashtu mendon se negociatat me VMRO-DPMNE-në do të dështojnë, pasi që është e qartë se kjo parti nuk do të pranojë kërkesat apo kushtet e Platformës shqiptare, ndërsa koalicioni i ri qeveritar do të varet nga LSDM dhe lideri i kësaj partie, Zaev - se sa do të jetë i guximshëm që t’i pranojë kërkesat politike të shqiptarëve që tashmë njihen si kushte, si dhe sa, mbi të gjitha, do të tregojë gatishmëri për kompromis, e sa do të bjerë pre e forcave retrograde, të cilat e këshillojnë mbrapshtë - që të mos pranojë asgjë. “Kjo në fakt do të thotë forcim i binomit VMRO-DPMNE dhe BDI, sepse mosgatishmëria e LSDM-së do të thotë që BDI-ja ritkthen disa votues të saj, ndërsa do të jetë konfirmim i tezave etno - nacionaliste të VMRO-DPMNE-së, e ne këtë terren, socialdemokratët, pa filluar loja, janë humbës të sigurt”, konkludon Tahiri.

Afati për formimin e qeverisë së re skadon më 29 janar. Deri atëherë, mandatari i ri Gruevski duhet të sigurojë mbështetjen e 61 deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, i cili numëron 120 deputetë. Për këtë, teoretikisht, i mjafton marrëveshje vetëm me grupin parlamentar të BDI-së, i cili numëron 10 deputetë, por kjo, sipas të gjitha analizave, do të ishte një qeveri me shumë pak stabilitet. Po që se nuk mandatari aktual nuk i siguron deputetët e nevojshëm , mundësia për formim të qeverisë duhet t’i kalojë LSDM-së, si parti që ka fituar numrin e dytë më të madh të deputetëve në zgjedhjet e dhjetorit.

Petrit Saraçini

Print Friendly, PDF & Email

This post is also available in: Macedonian