BDI dhe PDSH, në tentim për ikje nga përgjegjësia dhe disfata në fitore

BDI dhe PDSH me mjeshtëri po luajnë lojën e relativizimit të përgjegjësisë së tyre për përgjysmimin e votave dhe mandateve të tyre, si dhe për servilizmin ndaj armikut të shqiptarëve Gruevskit dhe naçallnikëve të tij - gjë që edhe ua solli këtë disfatë zgjedhore.

Shkruan:Petrit Saraçini

Shkruan:Petrit Saraçini

Loja për shpëtimin e pronarit por dhe lëkurës personale të vasalëve po luhet, mes tjerash, edhe duke vënë në lojë dhe përleshje të ndërsjellë fituesit moral të këtyre zgjedhjeve, Lëvizjen Besa dhe Aleancën për Shqiptarët. Bile, siç po shohim, kjo përleshje dhe këto parti po bëhen temë e debatit mediatik dhe atij në rrjete sociale.

E ç'ne? A po kanë BDI dhe PDSH vetë mandate për të bërë qeveri qoftë me VMRO-në (sepse siç po shohim edhe ky opsion qenka në tavoline, edhe krahas 90% të shqiptarëve që janë kundër), qoftë me LSDM-në? Nga vjen kjo qasje dhe të ftuarit e "të vegjëlve" në tavolinë, kjo dashuri vëllazërore e zbuluar pas zgjedhjeve?

T'ua thotë djaloshi me topin e kristaltë. Vjen nga tentativa për bashkëndarje të përgjegjësisë, ose për të ikur nga përgjegjësia për bashkëqeverisjen me Gruevskin, e cila na pruri në këtë mjerim, në çdo aspekt.

Nga përgjegjësia për vrasjet, burgosjet, krimet, vjedhjet, partizimin e shtetit, mjerimin në ekonomi, shëndetësi, arsim, për papunësinë, ikjen e qindra mija të rinjve, për Kumanovën, Brodecin, Enciklopedinë, Shkupin 2014, për "projektin" 3-5000 euro ryshfet për vend punë, për jetën pa kanalizime, ujësjellës, rrugë, për indianët, kapjen e shqiptarëve për qafe ...Dhe e gjithë kjo, tani duhet të mbulohet me retorike patriotike, kërkesa e ultimatume që nuk realizohen dot. Së paku jo me këtë rezultat zgjedhor. Dhe sigurisht jo me Gruevskin, i cili përdor anti - shqiptarizmin si mjet kryesor për ndërtimin e politikave të partisë së tij.

Ta përsërisë djaloshi. Hapi i parë për realizimin e kërkesave të shqiptarëve është t'i thyhet “kaçepi” Gruevskit dhe kriminelëve. Të mbrohet PSP-ja. Të nisen procedurat e PSP-së për Monstrën, për Sopotin, për krimet zgjedhore...Pasi të shohim disa prej kriminelëve prapa grilave, e për atë nuk nevojitet shumë kohë nëse Gruevski dhe MVROja shfuqizohen dhe lihen në opozitë, pastaj, partitë shqiptare mund të bëjnë politikë dhe të tregohen sy fortë ndaj kujt do qoftë që mendon të anashkalojë shqiptarët në Maqedoni.

Po e bënë këtë, kollaj kthehen edhe dhjetëra mija votat shqiptare që shkuan diku tjetër - mu për shkak se nuk duan më të votojnë për ata, që në fushata, tubime e media flasin kundër Gruevskit, e në realitet ulen këmbëkryq në prehrin e tij.

Ashtu siç po ecin punët, ka shumë gjasa që humbësit të fitojnë, e fituesit të humbin. Na presin zgjedhje të reja së shpejti. E sa për zgjedhje, një gjë është e sigurt, shqiptarët treguan se dinë të zgjedhin. Ta kenë këtë parasysh politikanët shqiptarë, por edhe ata maqedonas.

 

Print Friendly, PDF & Email

This post is also available in: Macedonian