Reka: Si e përjetova vitin 2016

Sikur të kisha një opsion për t’i fshirë të gjitha dhembjet dhe plagët shpirtërore që viti 2016 na i shkaktoi, me gjithë dëshirë do t’i kisha zhdukur ato nga sipërfaqja e ndodhive. Po të isha një shkrimtare, një roman sikur ato të Dostoevskit apo Balzakut do ta kisha shkruar.  Pyesni po kujt do t’jua dedikoja ato faqe, ato vargje.  Ja po ua them:

hqdefault-1Do t’ua përkushtoja vrasjes së Almirit të vogël, nënave që nuk shpëtuan gjatë lindjeve dhe foshnjeve të tyre që nuk arritën ta njohin jetën, familjeve të  uritura, refugjatëve që vërshuan rrugët e botës dhe të shtetit tonë.  Do të shkruaja për familjet e kapluara nga fatkeqësitë e ndryshme natyrore  e që ende nuk kanë kulm mbi kokë, për viktimat e pafajshme që paraqesin një asgjë në sytë e vrasësve mercenarë dhe porositësve e që tani  treten nën dhe, të arratisur, apo të pafajshëm derxhen nëpër burgje.  Shumë e shumë dhembjeve do t’jua kisha kushtuar romanin tim. Protagonistët kryesor negativ, shkaktarët e të gjitha këtyre vuajtjeve do të ishin kriminelët dhe të korruptuarit të cilët përpos interesit personal nuk patën asnjë ideal dhe vizion për shtetin tonë si tërësi.   Këta nuk patën dëshirë e as vullnet që të gjithë  qytetarët të trajtohen si qenje të barabarta pa marrë parasysh etnicitetin apo gjuhën që flasin.  Këta protagonistë vazhdimisht e ushqyen dhe helmuan qytetarin me refrene të stërmbushura me mllef, kërcënime dhe urrejtje.  Nga e gjithë kjo nuk u kursyem, i dëgjuam me veshët tonë në përgjimet, apo edhe vazhdojmë t’i dëgjojmë nëpër fjalimet e tyre publike.  Kjo retorikë tërësisht e gabuar jo vetëm që acarron raportet ndëretnike por, bëri edhe përçarje brenda etnike.  Një pikë tjetër që do ta kisha përshkruar dhe që më bën në fakt një luftëtare të denjë për ambient të pastër dhe të shëndetshëm është ajri i ndotur, helmi që po thithim për çdo ditë.  Do të shkruaja për uzurpimin e parqeve me ndërtime të shumta e të shëmtuara  të cilat në vazhdimsi po i vështirësojnë kushtet e jetesës për ne qytetarët.  Do të shkruaja për përmendoret  të cilat zgjojnë urrejtje tek tjetri.  Do të shkruaja për fshatrat e lëna pas dore...

Por, vitin 2016 më duhet ta cek se poashtu e përjetoj me një ndryshim të madh pozitiv.  Zëri i shprehjes së lirë shpërtheu dhe kjo është e vetmja dritë në tunelin e errët  që dukej sikur nuk ka fund.  Ky është zëri i guximit  i disa djelmoshave, vajzave,  grave, burrave dhe studentëve që filluan një lëvizje për ndryshime.  Romanin do t’ja përkushtoja edhe atyre që patën trimërinë të na i hapin sytë,  udhërëfyesve për një ardhmëri ndryshe, për një shtet unik me të gjithë qytetarët të trajtuar njëlloj në të.  Do të shkruaja për një mendjehapuri , tolerancë, respekt dhe dashuri .

Për fund një mesazh nga unë-Këtë shtet që kemi kështu të laramantë duhet ta vlerësojmë dhe çmojmë mu për këtë.   Duhet t’i kultivojmë këto përparësi që na janë dhënë, sepse bukuria e jetës është te diversiteti, te laramania, te të mësuarit e gjuhës dhe kulturës së tjetrit, te respekti ndaj njëri tjetrit për atë që jemi, te respekti ndaj ambientit dhe natyrës.

Print Friendly, PDF & Email

This post is also available in: Macedonian